Filozofia e argumentimit në veprën “Apologjia e Skënderbeut” nga autori Frang Bardhi
Duke hedhur një vështrim krahasimor në veprën e Frang
Bardhit, “Apologjia e Skënderbeut” dhe duke e krahasuar e duke e sjellë si qasje
historiko-letrare deri në ditët e sotme, do të vërejmë se që në zanafillën e të
shkruarit të saj kemi të bëjmë me përpjekje për të hapur rrugën e mendimit.
Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër të botuar në vitin
1636, është një rast i veçantë që pa përllogaritur frymën nacionaliste të saj,
të kemi të bëjmë me një autor, i cili kërkon lexuesin objektiv që në një
periudhë, ku hidheshin themelet e mendimit të përbashkët, të njëjtrajtshëm e të
vazhdueshëm si rrjedhë e diktaturave të reja mesjetare prej perandorive dhe
fuqive në sfond. Ndërkaq, duke ditur se dy vite para botimit të veprës së
Bardhit, autori boshnjak Tomko Marnaviç[1],
hodhi tezat e veta për origjinën boshnjake të Skënderbeut, Frang Bardhi pati një
nxitje që normalisht duhet ta konsiderojmë një të tillë nacionaliste për të shkruar
këtë libërth përkundër tjetrit të botuar në vitin 1631.
Për të dhënë një fizionomi të qartë mbi figurën e Gjergj
Kastriotit, të ashtuquajturit Skënderbe, Bardhi ka arritur të ndërtojë një
argument të balancuar deri në një farë pike, që do të thotë se e sheh çështjen
nga pika të ndryshme këndvështrimi, por mbetet rob i patriotizmit. Duke qenë se
libri është shkruar në vetëm 15 ditë, do të thotë se koha i ka lënë mundësi
autorit të vendosë vetëm lidhur me qëndrimin që mban për këtë çështje që mund të
lëkundte ekuilibrat ballkanikë dhe sidomos ato arbnorë. Ka një përdorim të përhershëm
pyetjesh retorike, si në rastin: “Porm
sikur neve të na lejohej që t’u mveshim me kaqë lehtësi autorëvet gabime që s’u
përkasin, atëherë ç’vlen e vërteta e padhunueshme e historisë? Besimi i papërlyer
i shkrimtarëvet? Autoriteti i antikitetit? Përse vlejnë vëllimet, kujtimet dhe
monumentet e tjera të vjetërsisë?”[2].
Vënia e lexuesit para pyetjeve dhe më vonë edhe lënia ndaj tij të përzgjedhë
lirshëm mes argumentash bën që përballja me to të krijojë një marrëveshje të
heshtur mes autorit dhe lexuesit për të gjetur mundësinë e kundërshtimit të
“fakteve”.
Përdorimi i kohës së tashme, gjuha emocionale për të tërhequr
interesin dhe ndjenjat e lexuesit, gjuha teknike, ndajfoljet e kohës, shkakut,
qëllimit janë elemente të rëndësishëm të veprës për t’i induktuar ose për t’i
bindur lexuesit se cili mendim është ai që duhet parë më me pranueshmëri.[3]
Sigurisht, injorimet që i bëhen thënieve dhe qëndrimeve të
Tomkut për vetë natyrën e veprës janë tejet subjektive për vetë idenë e përgjithshme
të ringritjes morale dhe para se të shkojë në përgënjeshtrimin e thënieve dhe
thurjen e lavdeve për figurën e Skënderbeut, ai përshkallëzon. Përmendim fjalën
“përshkallëzim” për vetë faktin se ai e nis “sulmin” me gabimet e Tomkut që në
prejardhjen e Vukashinit, shtrembërimit të të vërtetave rreth këtij të fundit,
etj.
Një element të veçantë që ne sot e gjejmë në guidat e
diskutimeve në perfeksion utopik, siç janë ato të Karl Popper, mund ta dallojmë
edhe tek Frang Bardhi, sidomos kur ai shkëputet nga përplasjet e drejtpërdrejta
me autorin boshnjak dhe “godet” konstruksionin e fjalës dhe mendimit të
Marnaviçit. Aq sa ka vlera për të qënurin një tekst letrar, në njëvlershmëri
gjejmë vlerën e kësaj filozofie mendimi të argumentuar fort mirë, gjë që e bën
Bardhin të shpaloset si mendimtar i vyer i periudhës së tij. Sigurisht që hasim
gabime në argumentim, duke u udhëhequr nga patriotizmi, pasi autori vlerëson si
një veçanti të folurën e gjuhës shqipe dhe turke në trevat tona e jo të asaj
sllave, duke anashkaluar për shembull faktin shoqëror se boshnjakët gjithashtu
kanë folur turqisht e kjo nuk përbën në tërësi një argument të mirëqenë e të
qenësishëm. Mënyra se si përdoret ironia e hollë është karakteristikë e dijetarëve
dhe analistëve që erdhën si profile njerëzore më vonë të perfeksionuara, po
duket se për Frang Bardhin ishin natyrshmëri edhe për diseksionin që i bën
diplomës së Tomkut, duke trajtuar rast pas rasti çdo fakt të përmendur
formalisht në diplomë. Vihet re në shkrim gjithashtu edhe ironia e pamëshirshme
prej mjeshtri e Bardhit, i cili e vazhdon këtë fill mendimi “përbuzës” deri në
fund, si një mbyllje e polemikës me sakrilegun Tomko në mënyrën më të përshtatshme
dhe më kuptimplotë.[4]
Sigurisht që një ndër arsyet kryesore të mundësisë që ka
Bardhi për të luajtur me fjalën është edhe fakti që ai e njeh mirë gjuhën që përdor
dhe sfondi gjuhësor që mban mbi supe figura e tij me botimin e “Dictionarum
latino – epiroticum (Fjalori latinisht – shqip)”. “Apologjia e Skënderbeut” është
e zhveshur nga ideologjia fetare dhe ky si një veprim progresiv në iniciativën
e tij për mbrojtjen e një teze të re që hedh poshtë një të shtruar më parë, e përjashton
argumentimin e vet nga antiteza duke e shpalosur shpesh si të paanshëm dhe për
këtë vlerësohet se në veprat e tij mbizotëron shkrimi i argumentuar, ashtu siç
ai bën në relacionet etnografike e etnologjike, ku përveç se ka ndërmend të
shpalosë mendimin lidhur me çështjen, bën përpjekje për të dhënë dije e kulturë
për popullin dhe bën në një farë mënyre ndriçimin e gjuhës shqipe.[5]
Pavarësisht se tek-tuk mund të gjejmë mundësi për të hedhur
poshtë pse jo edhe ndonjë pretendim që e tejkalon objektivitetin e çështjes, argumentet
e sjella përgjithësisht me kalimin e viteve është provuar se kanë një lloj
autenticiteti dhe vërtetësie shkencore. Shpotia e Bardhit është ngaherë e
pranishme në shkrim, sigurisht për të shprehur një lloj epërsie që po ndërmerr
një lloj mbrojtjeje kombëtare, duke iu referuar asaj që mbron.
Kjo figurë në cilësinë e vet të të argumentuarit, ka një mori
profilesh të rëndësishme, të cilat bëjnë që të ketë besueshmëri dhe këtu mund të
përmendim vlerat e tij të akumuluara si pasojë e përvetësimit të të qënit gjuhëtar,
letrar e më pas edhe leksikograf.[6]
Vetë vepra është quajtur një diskurs apologjik e historik e
kjo do të thotë se sipas logjikës dhe filozofisë kemi një qasje të plotë e të
formuluar mirë për bindjen e lexuesit, pasi dhe vetë Bardhi ndërkaq është
konsultuar me rreth 120 libra e referenca për të arritur dhënien e këtyre arësyetimeve
ose evidencave për pranimin e këtij konkluzioni të veçantë, se Skënderbeu është
shqiptar dhe pa lidhje me origjinën sllave të pretenduar nga autori boshnjak. Këtu
kemi të bëjmë me një përparësi tjetër në rregullat e formimit të argumentit[7],
pasi këtu nuk kemi të bëjmë me logjikë informale dhe një gjuhë ordinere e të
zakonshme e as qëllime për t’u përshtatur me zhargonin e përditshmërisë. Në të
kundërt, këtu do të gjejmë argumente formale që studiohen në logjikën formale
(që historikisht është quajtur logjikë simbolike, ose sot i është referuar këtij
përkufizimi si logjikë matematike) dhe shprehen në gjuhë formale gjithashtu. Është
një rast konkret ku argumenti deduktiv përmban në vetvete të vërtetëb që
konkluzioni mbështet në bazë të premisave të prejardhura prej pasojave logjike.
Një argument deduktiv është i vlefshëm edhe nëse është e vërteta e konkluzionit
ajo që paraqitet e vetme dhe jo kushtet korresponduese të njëpasnjëshme, pavarësisht
se në veprën e Bardhit ne i gjejmë edhe këto të fundit. Do të ishte vetëkundërshtim
nëse mbështeten premisat/ faktet dhe kundërshtohet konkluzioni, sepse negocimi
me konkluzionin është kontradiktor me të vërtetën e ardhur prej premisave. Ndërkaq,
autori është ndalur në çdo aspekt, një pas një dhe e rrit besueshmërinë e
antitezës – tezë të tij.
E vërteta që del në
dritë prej autorit, ose më saktë që ai riforcon në argumentim është një e tillë
që sipas asaj që shkruhet është faktike dhe realiste, në bazë të një ideali
standard dhe origjinal. E kundërta e të vërtetës është e rremja, e cila në
korrespondim me atë që thamë është e kundërt me logjikën, faktin dhe etikën e së
vërtetës.[8]
Pra, në argumentat, me të cilat ne përballemi nuk gjejmë asnjë nga metodat kundërshtuese
të vërtetësisë së asaj çka paraqet Bardhi. Në përgjithësi, për secilin autor që
lexojmë, apo për çdo material bazë (burim) që shqyrtojmë, duhet të jemi të aftë
të kryejmë dy pika kryesore. Së pari, duhet të identifikojmë qendrimin specifik
që autori mban ndaj një çështje të caktuar (dhe të parashtruar). Së dyti, duhet
të identifikojmë mënyrat ose formulimin që autori ka përdorur për të suportuar
qendrimin e tij. Nëse arrijmë të identifikojmë qendrimin dhe formulimin (ose
paraqitjen) e evidencave suportuese, atëherë kemi arritur të identifikojmë
argumentin e materialit të dhënë. Qendrueshmëria logjike e linjës së arsyetimit
varet gjithashtu edhe nga shkalla e qartësisë së shprehjes së tezës nga autori.
Nëse një material i dhënë nuk ka një tezë të deklaruar qartë
(pra, edhe një qendrim të autorit), atëherë linja e arsyetimit mund t’i kalojë
kufijtë logjikë, duke implikuar argumente të tërësisë së falistetit. Hap pas
hapi, Bardhi është kujdesur fort që të mos bjerë pre e devijancave në shkrimin
e tij dhe mbështetja që merr nga vepra e Barletit krijon një lloj unisoni
argumentues mes veprës.
Mund të themi se autori ka siguruar mjaftueshmërisht shumë
evidenca në favor të tezës që ka parashtruar. Këto evidenca kanë marrë formën e
fakteve (historike më së shumti), shembujve të mjaftueshëm në favor të qëndrimit
të shprehur lidhur me origjinën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut si një
shembull i gjatë, por i logjikshëm dhe i kompletuar. Mënyra e argumentimit përveç
se një e tillë bindëse, i largohet jashtëzakonisht shumë tërë derivateve të
falsitetit lidhur me teorinë e argumentit në filozofi, politikë etj, e tashmë
edhe në letërsi, ku autori Frang Bardhi jep shembullin e qartë të karizmatikut
dhe jo vetëm për një çështje kyçe në problemet tona nacionaliste.
Punoi Jeta Deda
[1] http://sq.wikipedia.org/wiki/Apologjia_e_Sk%C3%ABnderbeut
[2] “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi
[3] “The Elements of Style” – William Strunk
[4] “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi,
citim nga shënimet e përkthyesit të veprës, Stefan I. Prifti
[5] “Letërsia shqiptare e vjetër” – Sabri
Hamiti
[6] “Letërsia shqiptare e vjetër” – Sabri
Hamiti
[7] “Manifest Rationality: A pragmatic theory
of argument” – Ralph H. Johnson
[8] “Truth and the Absence of Fact” – Field
& Hartry