Wednesday, 1 May 2013


“Vështrim i përgjithshëm mbi të qënit gjallë të 

Shën Mërisë së Virgjër sipas Jul Varibobës”



Jeta është një karakteristikë që i dallon objektet nga proceset e qëndrueshmërisë së përhershme prej atyre, të cilët nuk e kanë një të tillë dhe nëse këto funksione i kanë humbur dhe iu kanë shteruar nga vdekja, klasifikohen si të pashpirta. Titulli i veprës në gjuhën arbëreshe që përfshin fjalën gjella, është një koncept i bukur për lexuesin sot, duke dhënë idenë e gjallesës, të qënit gjallë, pra jetës së një figure udhëheqëse që vendos Variboba në qendër të veprës së tij. Është shkruar për të se është shkrimtari i parë shqiptar, i cili botoi një vepër thjesht letrare.[1] Duhet shtuar se ashtu si në gjithë veprat e mëparshme të shkruara shqip, kjo vazhdoi rrugën e paraardhëseve të saj, të cilat u përqendruan ose në jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, si udhëheqësi i zemrave arbnore, ose në lidhje me besimin katolik. Shkrimin rreth temave dhe çështjeve që lidhen me botën e krishtërimit e sidomos atë katolik romak për vetë influencat që në periudhën kur janë shkruar veprat, kisha ndërmerrte gjithmonë e më tepër  nisma për refrmimin e saj nëpërmjet koncileve. Sigurisht, duhet pranuar edhe sfondi jetësor i shkrimtarit Jul Variboba, pasi të qenit pjesë e klerit katolik e bën drejtpërsëdrejti të lidhur me një frymë të tillë letrare, jo shumë të shkëputur prej laikes.
Kemi të bëjmë me një shkrimtar që në duart e lexuesit paraqitet si një poet popullor e po aq sa një shkrimtar i zakonshëm.[2] Ka një lloj naiviteti gjatë gjithë veprës që përshkon mënyrën e të shprehurit të Varibobës dhe kjo sipas studiuesve që janë të qëndrimit se e gjithë kjo dëlirësi në shkrim është rezultat i marrëdhënieve të komplikuara me familjen prej tij dhe “rebelimit” që shfaqi në momentin kur vendosi që t’i kushtohet jetës baritore të udhëheqësit shpirtëror të komuniteteve që besonin në Krishtin.
Në fillim të veprës hasim në letrën që ai i dërgon Shën Mërisë një lloj dialogu mes autorit dhe kësaj figure sublime të botës së krishterë, ku ndër të tjera përmenden lajmi i engëllit Gabriel se do të lindte Krishti fëmijë, mbret i qiellit dhe i tokës dhe gjithashtu tre muajt që kaloi Shën Mëria në shtëpinë e Shën Elizabetës. Këto dy momente janë pjesë e një rituali të përhapur katolik në mbarë botën, pjesë e lutjes së shën Mërisë, rruzares, ku kërkohet ndërmjetësia e saj për tek Hyji dhe në një farë mënyre mund ta shohim me syrin e atij që e shpreh lutjen e vet nëpërmjet letërsisë si një proces i rëndësishëm i të shprehurit post meditimit. Po në këtë pjesë biseda më Shën Jozefin dhe përshkallëzimi kur i drejtohet “Xhezusit”, edhe pse s’kemi të bëjmë me vargje metrikisht të njëjta i jep atyre një sens tingullimor krejt të veçantë.
Kalimera e Natallevet, që në gjuhën arbëreshe është vigjilja e Krishtlindjes tregon njëherazi origjinën arbëreshe nga jugu i Arbërisë, i cili ka qenë si rajon pjesë më e prirur për të patur kontakt me gjuhën greke dhe së dyti italianizmat që tashmë prej zbarkimit të tyre që prej 200 vjetësh në atë periudhë, ishin përshtatur dhe bërë pjesë e gjuhës së tyre. Ndërkaq, udha e Shën Mërisë dhe “Shën Xhuzepes”, siç e quan Variboba Jozefin drejtohet që në fund të këtij rrugëtimi letrar të vijë madhështia e Xhezusit.
Kënka e të zgjuarit për lindjen e Krishtit është ndërtuar si një lloj ninulle që përkund në vargje Krishtin me përshkrimin e tij fizik.
Tek “Nj’ater kënk” ndërkohë Krishti është bërë pjesë e zemrave të besimtarëve, lartësohet përjetësia e dashurisë së Hyjit nëpërmjet figurës së përsëritjes dhe figura e jezusit është e përthithur sipas ambientit arbëresh.
“Ave Maria”, e përbërë nga litanitë, shprehet në vargje duke marrë tjetër sens tingullor dhe për të qenë më e thjeshtë për lexuesin që merr pjesë para meshe, ose lutet në shtëpi që ta përvetësojë në mënyrë artistike afrimin me Zotin.
Ndërkohë tek “Salve Regina” mafhërohet të qënit e përfuajtur e Shën Mërise dhe tek “Ave Maria Stella”, figura e kësaj femre që lartësohet në çdo frazë shikohet si drita e jetës. Pjesa “O bella mia speranza” e shfaq poetin të vetëflijuar në emër të shpresës së Hyjit dhe me një dashuri që tejkalon kufijtë e asaj që përjetojnë të dashuruarit, duke i dhënë kësaj ndjenje një tjetër dimension. Tek “La più bella verginella”, Variboba i gëzohet pranisë së Shën Mërisë dhe lutet ndaj saj në një adhurim krejt të sinqertë. Në pjesën “Ave Maria”, të dytë, Variboba e quan Shën Mërinë mbretëreshë të sakramenteve, duke e lidhur pazgjidhshmërisht me misterin e besimit katolik si pika kyçe e referimit të këtij besimi.[3]
Edhe pse në botimin e veprës së plotë të Varibobës së fundmi thuhet se “Ajo nuk është as një katekizëm, as një diskurs teologjik a epos religjioz për historinë e shenjtë, por është një diskurs artistik për dashurinë dhe dhimbjen njerëzore, për metaforën e misterit të mëmësisë virgjërore”[4], ky qëndrim është krejtësisht i diskutueshëm dhe i kundërshtueshëm duke marrë parasysh përmbajtjen e “Shujtës shpirtërore”, ose “Catechismo della Chiesa Cattolica”. Mbi të gjitha në “Dottrina Cristiana” vihet re haptazi dhe themelohet idea në fshatarin arbëresh që e njeh Krishtin në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të padjallëzuar se jeta e vepra e Tij, nëse kuptohen e jetësohen nga ne përbëjnë dijen dhe doktrinën e vërtetë kristiane. Variboba i kërkon lexuesit besimtar të jetë “fytyrë” e Jezusit.
Veçantia e pjesës “Credo” është se shkrimtari bashkon idenë e besës me besimin dhe ndërton një urë lidhëse mes nacionalizmit dhe besimit. “Li Comandamenti” bashkon 10 urdhërimet në formën e krijimeve gojore popullore dhe ndërthur me to jo vetëm ato që përfshijnë shkrimet në gur të përcjella prej Moisiut, por edhe katekizmi i Papatit. Variboba dialogon me Zotin dhe me Krishtin si vetë hyjnore në “Miserere mei, Deus”, i bën premtime Hyjit duke anashkaluar pak doktrinën kristiane në “Nj’atër vjersh pendimendi”.
Pas reflektimit, shkrimtari i drejtohet Zotit me pendesë dhe kërkon shpëtim prej vetëndëshkimit nga ndërgjegjësimi prej mëkatit tek “Kenk spirituall”, e cila sikurse edhe nga titulli që mban shpreh lidhjen shpirtërore të pakëputshme që ka Variboba si një përfaqësues i devotshëm i klerit katolik romak, i cili e di tashmë se si duhet ta udhëheqë komunitetin e vet shpirtërisht. Pa ndërprerje, i kërkohet Shën Mërisë ndërmjetësim në “De profundis” dhe në “Sakramendet e Qishës” shenjtëron sakramendet në vargje si një lloj rikujtimi i një pjese të informacionit që tashmë i është përcjellë lexuesit. “Pater Noster” e quan ai dhe “Ati ynë” ne, rimohet në vargje për lehtësi qëndrueshmërie në kujtesë, duke shtuar dhe një lartësim dhe nxjerrje në pah të Shpirtit Shenjt, si formë e shfaqjes së Hyjit në tokë. Direkt pas kësaj, “Veni, Sancte Spiritus” shfaq problemet që përball autori dhe bashkësia sociale përreth tij e ndërkohë ftohet Shpirti i Shenjtë të zbresë në tokë sërish për të ndriçuar shpirtrat njerëzorë. Ndërkohë në “Veni, Creator Spiritus” përshkruhet Trinia e Shenjtë de “katekizmi letrar” merr udhën për të tjera njohuri mbi mënyrën e njohjes së Hyjit sipas këtij besimi. “Olà, Fedeli” udhëheq shpirtrat e lexuesve dhe besimtarëve, pikërisht tek Buka e Shpirtit dhe tek mëkatet.
Në “Brami or Sapere” bie një hije zie, e cila është e ilustruar e asonanca të shumta dhe nxjerr panoramën e vdekjes së Krishtit në kryq për shpëtimin e mëkatarëve dhe ngritjen e tij në qiell. Pasohet kjo ngjarje edhe me një bashkëbisedim që improvizon autori në vargje mes Shpirtit të Shenjtë dhe Jezu Krishtit.
Në “Alma Contrita”, pasi është ndalur dy herë tek sakramentet më parë, Variboba nxjerr në pah edhe rëndësinë e kungimit.
Pas kësaj, hasim sërish lartësmin e Hyjiit dhe thurjen e lavdeve ndaj tij në “Te Deum Laudamus”, ndërsa tek “Jesu, Corona Virginum” madhështia e Krishtit dhe Ungjillit shpalosen duke u përmbledhur më vonë të gjitha ato që janë thënë në këngët e mëparshme si një lloj retrospektive dhe rishikimi të informacionit të marrë që tashmë me pasurimin e vet piqet dhe merr tjetër konotacion kuptimor.
Tek “Stabat Mater”, absurditeti i gozhdimit për mëkatarët u krijon besimtarëve një lloj hendeku në besim dhe Jul Variboba  e administron faktin e njohur botërisht më së miri në vlerë të asaj që ka marrë përsipër t’i japë në dorë lexuesit përgjithësisht besimtar, por në ditët e sotme edhe laik, të cilit i intereson mënyra e hartimit dhe shprehjes së krijimtarisë, ose dijenisë së kthyer në art. “Kalimera e Pashkëvet” skicon në mendjen e lexuesit ringjalljen e Krishtit, madhështinë e fesë dhe bën një ftesë për gjithë besimtarët në adhurim, përshpirtëri dhe lutje.
Në pjesën “Kanxuneta e Shën Mëris Bonkunxilit Pjerr’Arbërisht” bekohen tokat shqiptare nga ardhja e Shën Mërisë në to, duke marrë parasysh që një sërë zonash të krishtera në Shqipërinë e sotme, por që e kanë fillin që në Arbërinë e kohës, kishin përshtatur emrin e Shën Mërisë me vendin, pasi nëna e Hyjit ishte shfaqur tek besimtarët. Po kështu edhe tek “Rresponxori i Shën Andonit” nëpërmjet lutjeve ndërmjetësuese dëshmohet lidhja e gjatë dhe e kahershme që kombi shqiptar ka me këtë shenjt, duke marrë parasysh edhe pelegrinazhet e shumta që vazhdojnë deri në ditët e sotme në Sebastien e dikurshme, sot Laçi i Kurbinit.
Ndër të tjera tek “Rrusallezët e Kërsheta çë Llaudhárnjën Shejtet” kërkohen për ndërmjetësim tek Hyji edhe shenjtër të tjerë si Shën Gjergji, Shën Kozmai, Shën Viçenzi dhe Shën Xhuzepe për ndihmë lidhur me turbullirat antikrisht në Mbuzat, zonën ku që caktuar Variboba të udhëhiqte drejt Krishtit komunitetin katolik të zonës.[5]
Me “Thughen udhës këto kenk”, dëshmia e gjithë veprës përmbyllet me dëshirën për martirizim të Varibobës në emër të dashurisë për Hyjin dhe për shlyerjen e mëkateve në pendësë, “përvujtni” e “përshpirtni”.
Koncepti i tij për thjeshtësi shpirtërore dhe gjerësi shprehëse e konceptuese[6] i jep hapësirat e duhura për t’i marrë vëmendjen lexuesit e megjithatë mënyra si është shprehur se lexuesi mund ta djegë librin nëse s’i pëlqen është një lloj tipik dëshpërimi që zakonisht vlerësohet si mungesë e thelluar e ambientit që nuk e vlerëson se e plotëson intelektualisht. Pavarësisht këtyre hipotezave të pabaza në fakte historike lidhur me jetën e Varibobës, kemi sot në duar një vepër me vlerë të konsiderueshme jo vetëm artistike që është thelb edhe i njohjes së një kulture jo krejt të përgjithshme në trojet tona për shkak të rrjedhës orientale historike që zgjodhëm të merrnim ose zgjodhën ta merrnim.

Punoi Jeta Deda




[1] “Letërsia e vjetër shqipe” – Sabri Hamiti
[2] Parathënia e “Gjellës së Shën Mëris Virgjër” – Anton Nikë Berisha
[3] “La vita di Maria” – Giulio Variboba, Cosenca, 1984
[4] “Vepra” – Jul Variboba, Botimet Toena
[5] “Gjella e Shën-Mërisë Vigjër” – Jul Variboba, Ullano, 1762
[6] “Letërsia e vjetër shqipe” – Sabri Hamiti

Tuesday, 16 April 2013



Filozofia e argumentimit në veprën “Apologjia e Skënderbeut” nga autori Frang Bardhi

Duke hedhur një vështrim krahasimor në veprën e Frang Bardhit, “Apologjia e Skënderbeut” dhe duke e krahasuar e duke e sjellë si qasje historiko-letrare deri në ditët e sotme, do të vërejmë se që në zanafillën e të shkruarit të saj kemi të bëjmë me përpjekje për të hapur rrugën e mendimit.
Duke qenë se kemi të bëjmë me një vepër të botuar në vitin 1636, është një rast i veçantë që pa përllogaritur frymën nacionaliste të saj, të kemi të bëjmë me një autor, i cili kërkon lexuesin objektiv që në një periudhë, ku hidheshin themelet e mendimit të përbashkët, të njëjtrajtshëm e të vazhdueshëm si rrjedhë e diktaturave të reja mesjetare prej perandorive dhe fuqive në sfond. Ndërkaq, duke ditur se dy vite para botimit të veprës së Bardhit, autori boshnjak Tomko Marnaviç[1], hodhi tezat e veta për origjinën boshnjake të Skënderbeut, Frang Bardhi pati një nxitje që normalisht duhet ta konsiderojmë një të tillë nacionaliste për të shkruar këtë libërth përkundër tjetrit të botuar në vitin 1631.
Për të dhënë një fizionomi të qartë mbi figurën e Gjergj Kastriotit, të ashtuquajturit Skënderbe, Bardhi ka arritur të ndërtojë një argument të balancuar deri në një farë pike, që do të thotë se e sheh çështjen nga pika të ndryshme këndvështrimi, por mbetet rob i patriotizmit. Duke qenë se libri është shkruar në vetëm 15 ditë, do të thotë se koha i ka lënë mundësi autorit të vendosë vetëm lidhur me qëndrimin që mban për këtë çështje që mund të lëkundte ekuilibrat ballkanikë dhe sidomos ato arbnorë. Ka një përdorim të përhershëm pyetjesh retorike, si në rastin: “Porm sikur neve të na lejohej që t’u mveshim me kaqë lehtësi autorëvet gabime që s’u përkasin, atëherë ç’vlen e vërteta e padhunueshme e historisë? Besimi i papërlyer i shkrimtarëvet? Autoriteti i antikitetit? Përse vlejnë vëllimet, kujtimet dhe monumentet e tjera të vjetërsisë?”[2]. Vënia e lexuesit para pyetjeve dhe më vonë edhe lënia ndaj tij të përzgjedhë lirshëm mes argumentash bën që përballja me to të krijojë një marrëveshje të heshtur mes autorit dhe lexuesit për të gjetur mundësinë e kundërshtimit të “fakteve”.
Përdorimi i kohës së tashme, gjuha emocionale për të tërhequr interesin dhe ndjenjat e lexuesit, gjuha teknike, ndajfoljet e kohës, shkakut, qëllimit janë elemente të rëndësishëm të veprës për t’i induktuar ose për t’i bindur lexuesit se cili mendim është ai që duhet parë më me pranueshmëri.[3]
Sigurisht, injorimet që i bëhen thënieve dhe qëndrimeve të Tomkut për vetë natyrën e veprës janë tejet subjektive për vetë idenë e përgjithshme të ringritjes morale dhe para se të shkojë në përgënjeshtrimin e thënieve dhe thurjen e lavdeve për figurën e Skënderbeut, ai përshkallëzon. Përmendim fjalën “përshkallëzim” për vetë faktin se ai e nis “sulmin” me gabimet e Tomkut që në prejardhjen e Vukashinit, shtrembërimit të të vërtetave rreth këtij të fundit, etj.
Një element të veçantë që ne sot e gjejmë në guidat e diskutimeve në perfeksion utopik, siç janë ato të Karl Popper, mund ta dallojmë edhe tek Frang Bardhi, sidomos kur ai shkëputet nga përplasjet e drejtpërdrejta me autorin boshnjak dhe “godet” konstruksionin e fjalës dhe mendimit të Marnaviçit. Aq sa ka vlera për të qënurin një tekst letrar, në njëvlershmëri gjejmë vlerën e kësaj filozofie mendimi të argumentuar fort mirë, gjë që e bën Bardhin të shpaloset si mendimtar i vyer i periudhës së tij. Sigurisht që hasim gabime në argumentim, duke u udhëhequr nga patriotizmi, pasi autori vlerëson si një veçanti të folurën e gjuhës shqipe dhe turke në trevat tona e jo të asaj sllave, duke anashkaluar për shembull faktin shoqëror se boshnjakët gjithashtu kanë folur turqisht e kjo nuk përbën në tërësi një argument të mirëqenë e të qenësishëm. Mënyra se si përdoret ironia e hollë është karakteristikë e dijetarëve dhe analistëve që erdhën si profile njerëzore më vonë të perfeksionuara, po duket se për Frang Bardhin ishin natyrshmëri edhe për diseksionin që i bën diplomës së Tomkut, duke trajtuar rast pas rasti çdo fakt të përmendur formalisht në diplomë. Vihet re në shkrim gjithashtu edhe ironia e pamëshirshme prej mjeshtri e Bardhit, i cili e vazhdon këtë fill mendimi “përbuzës” deri në fund, si një mbyllje e polemikës me sakrilegun Tomko në mënyrën më të përshtatshme dhe më kuptimplotë.[4]
Sigurisht që një ndër arsyet kryesore të mundësisë që ka Bardhi për të luajtur me fjalën është edhe fakti që ai e njeh mirë gjuhën që përdor dhe sfondi gjuhësor që mban mbi supe figura e tij me botimin e “Dictionarum latino – epiroticum (Fjalori latinisht – shqip)”. “Apologjia e Skënderbeut” është e zhveshur nga ideologjia fetare dhe ky si një veprim progresiv në iniciativën e tij për mbrojtjen e një teze të re që hedh poshtë një të shtruar më parë, e përjashton argumentimin e vet nga antiteza duke e shpalosur shpesh si të paanshëm dhe për këtë vlerësohet se në veprat e tij mbizotëron shkrimi i argumentuar, ashtu siç ai bën në relacionet etnografike e etnologjike, ku përveç se ka ndërmend të shpalosë mendimin lidhur me çështjen, bën përpjekje për të dhënë dije e kulturë për popullin dhe bën në një farë mënyre ndriçimin e gjuhës shqipe.[5]
Pavarësisht se tek-tuk mund të gjejmë mundësi për të hedhur poshtë pse jo edhe ndonjë pretendim që e tejkalon objektivitetin e çështjes, argumentet e sjella përgjithësisht me kalimin e viteve është provuar se kanë një lloj autenticiteti dhe vërtetësie shkencore. Shpotia e Bardhit është ngaherë e pranishme në shkrim, sigurisht për të shprehur një lloj epërsie që po ndërmerr një lloj mbrojtjeje kombëtare, duke iu referuar asaj që mbron.
Kjo figurë në cilësinë e vet të të argumentuarit, ka një mori profilesh të rëndësishme, të cilat bëjnë që të ketë besueshmëri dhe këtu mund të përmendim vlerat e tij të akumuluara si pasojë e përvetësimit të të qënit gjuhëtar, letrar e më pas edhe leksikograf.[6]
Vetë vepra është quajtur një diskurs apologjik e historik e kjo do të thotë se sipas logjikës dhe filozofisë kemi një qasje të plotë e të formuluar mirë për bindjen e lexuesit, pasi dhe vetë Bardhi ndërkaq është konsultuar me rreth 120 libra e referenca për të arritur dhënien e këtyre arësyetimeve ose evidencave për pranimin e këtij konkluzioni të veçantë, se Skënderbeu është shqiptar dhe pa lidhje me origjinën sllave të pretenduar nga autori boshnjak. Këtu kemi të bëjmë me një përparësi tjetër në rregullat e formimit të argumentit[7], pasi këtu nuk kemi të bëjmë me logjikë informale dhe një gjuhë ordinere e të zakonshme e as qëllime për t’u përshtatur me zhargonin e përditshmërisë. Në të kundërt, këtu do të gjejmë argumente formale që studiohen në logjikën formale (që historikisht është quajtur logjikë simbolike, ose sot i është referuar këtij përkufizimi si logjikë matematike) dhe shprehen në gjuhë formale gjithashtu. Është një rast konkret ku argumenti deduktiv përmban në vetvete të vërtetëb që konkluzioni mbështet në bazë të premisave të prejardhura prej pasojave logjike. Një argument deduktiv është i vlefshëm edhe nëse është e vërteta e konkluzionit ajo që paraqitet e vetme dhe jo kushtet korresponduese të njëpasnjëshme, pavarësisht se në veprën e Bardhit ne i gjejmë edhe këto të fundit. Do të ishte vetëkundërshtim nëse mbështeten premisat/ faktet dhe kundërshtohet konkluzioni, sepse negocimi me konkluzionin është kontradiktor me të vërtetën e ardhur prej premisave. Ndërkaq, autori është ndalur në çdo aspekt, një pas një dhe e rrit besueshmërinë e antitezës – tezë të tij.
 E vërteta që del në dritë prej autorit, ose më saktë që ai riforcon në argumentim është një e tillë që sipas asaj që shkruhet është faktike dhe realiste, në bazë të një ideali standard dhe origjinal. E kundërta e të vërtetës është e rremja, e cila në korrespondim me atë që thamë është e kundërt me logjikën, faktin dhe etikën e së vërtetës.[8] Pra, në argumentat, me të cilat ne përballemi nuk gjejmë asnjë nga metodat kundërshtuese të vërtetësisë së asaj çka paraqet Bardhi. Në përgjithësi, për secilin autor që lexojmë, apo për çdo material bazë (burim) që shqyrtojmë, duhet të jemi të aftë të kryejmë dy pika kryesore. Së pari, duhet të identifikojmë qendrimin specifik që autori mban ndaj një çështje të caktuar (dhe të parashtruar). Së dyti, duhet të identifikojmë mënyrat ose formulimin që autori ka përdorur për të suportuar qendrimin e tij. Nëse arrijmë të identifikojmë qendrimin dhe formulimin (ose paraqitjen) e evidencave suportuese, atëherë kemi arritur të identifikojmë argumentin e materialit të dhënë. Qendrueshmëria logjike e linjës së arsyetimit varet gjithashtu edhe nga shkalla e qartësisë së shprehjes së tezës nga autori.
Nëse një material i dhënë nuk ka një tezë të deklaruar qartë (pra, edhe një qendrim të autorit), atëherë linja e arsyetimit mund t’i kalojë kufijtë logjikë, duke implikuar argumente të tërësisë së falistetit. Hap pas hapi, Bardhi është kujdesur fort që të mos bjerë pre e devijancave në shkrimin e tij dhe mbështetja që merr nga vepra e Barletit krijon një lloj unisoni argumentues mes veprës.
Mund të themi se autori ka siguruar mjaftueshmërisht shumë evidenca në favor të tezës që ka parashtruar. Këto evidenca kanë marrë formën e fakteve (historike më së shumti), shembujve të mjaftueshëm në favor të qëndrimit të shprehur lidhur me origjinën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut si një shembull i gjatë, por i logjikshëm dhe i kompletuar. Mënyra e argumentimit përveç se një e tillë bindëse, i largohet jashtëzakonisht shumë tërë derivateve të falsitetit lidhur me teorinë e argumentit në filozofi, politikë etj, e tashmë edhe në letërsi, ku autori Frang Bardhi jep shembullin e qartë të karizmatikut dhe jo vetëm për një çështje kyçe në problemet tona nacionaliste.

Punoi Jeta Deda





[1] http://sq.wikipedia.org/wiki/Apologjia_e_Sk%C3%ABnderbeut
[2] “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi
[3] “The Elements of Style” – William Strunk
[4] “Apologjia e Skënderbeut” – Frang Bardhi, citim nga shënimet e përkthyesit të veprës, Stefan I. Prifti
[5] “Letërsia shqiptare e vjetër” – Sabri Hamiti
[6] “Letërsia shqiptare e vjetër” – Sabri Hamiti
[7] “Manifest Rationality: A pragmatic theory of argument” – Ralph H. Johnson
[8] “Truth and the Absence of Fact” – Field & Hartry