“Elementi politik tek “Bretkosat” e Aristofanit”
Për të
studiuar diçka që është qendër e veprës së Aristofanit, ashtu siç është
elementi i politikës, duhet hedhur një vështrim mbi shumicën e veprave të
shkruara prej tij, duke marrë parasysh faktin se problematika i përket së njëjtës
periudhë kohore dhe përgjithësisht të njëjtit sistem politik e qeveritar që udhëheq.
Ai shfaq në thelbin e pikëpamjeve të veta, të tilla që edhe pse përputhen me
partinë demokratike të moderuar dhe jo me atë radikale, në ditët e sotme kemi të
bëjmë me një njeri të djathtë të qendrës, gjë që i atribuohet sërish vendit ku
lindi demokracia si ideologji politike.
Që në atë
periudhë ai është njëfarësoj nismëtar i vënies përballë të platformave politike
me njëra-tjetrën, gjë që të tjerët e kishin anashkaluar si jo shumë fitimprurëse,
por duhet thënë se një shtysë e veçantë dhe e konsiderueshme është fakti që ai
kishte një temperament dhe karakter shumë shpotitës, tallës, ironizues e
sarkastik.
Përveç
platformave politike boshe që bien ndesh me politikat sociale për shtresën e ulët
dhe të mesme, Aristofani ngrihet kundër politikanëve demagogë dhe hedh bazat e
utopisë sociale ashtu si bashkëkohësit e tij, duke i dhënë në një farë mënyrë
zgjidhje kontradiktorialitetit të gjatë mes pasurisë dhe varfërisë.[1]
Duket që sipas të shkruarit ai përkrah gjatë gjithë kohës shtresën e mesme e
duhet thënë se kjo shtresë si ingranazh kryesor i ecurisë në komunitetin e madh
në rang rajonal mund të çojë përpara shoqërinë njerëzore për sa i përket të
ardhurave të fituara me punë të ndershme dhe për të sjellë kështu një ndër
modelet e para të shtetit të mirëqenies sociale.
Inskenimi i
pjesëve kur Euripidi dhe Eskili vihen përballë njëri – tjetrit duke gjetur
argumenta përkundër që të jenë ata fituesit e debatit respektivisht secili
sipas interesave të tij është bërë në formën e një përplasjeje, diskutimi
“platformash” dhe Dionisi, sot për herë të parë do të shihej si populli që
voton më shumë sesa si Hyjnia që do të vendoste mbi më të mirin prej autorëve në
fushën e letërsisë.
Aristofani
gjithmonë është përpjekur t’i mësojë audiencës diçka përtej dramatikes në
veprat e tij. Tek “Bretkosat”, Dionisi kërkon një poet, i cili është zotërues i
zhanritdhe e shikon dramën si një formë didaktike të letërsisë, e cila ka
potencialin e duhur që t’i mësojë audiencës atë çfarë është e drejtë.[2]
Disa studiues kanë vënë re në vepra këmbënguljen që ka Aristofani lidhur me
arsimin si tregues i teorive latente politike që fshihen nëpër vargjet e tij.[3]
Sidoqoftë, Aristofani satirizon edhe politikanët demokratë, por edhe ata
oligarkikë, po ashtu siç bën me poetët, artistët, filozofët dhe personalitete të
tjera të njohura të bashkëkohësisë së tij dhe kështu hasen vështirësi që të
provohet fakti se ai po kërkon një teori të vetme dhe të unifikuar politike.[4]
Eskili në këtë
vepër deklaron se fëmijët kanë një mësues që i arsimon, ndërkohë që të rinjtë
kanë poetët dhe Euripidi duket se bie dakord me këtë. Fokusi i agonisë mes dy
tragjedianëve duket se merr rëndësi nga interesi fillestar në teknikat poetike
dhe metodat për t’u bërë në thelb një konkurs mes mjeshtrash, që në momentin që
Eskili dhe Euripidi respektivisht deklarojnë se ekzekutimet e veta dramatike
janë më të dobishme për qytetin.[5]
Duhet thënë
se parodia është një mënyrë e rëndësishme e shfaqjes së teknikave të gjuhës në
letërsi dhe kështu është një lloj metode pedagogjike për të gjitha veprat
athinase. Ndërkohë që “Bretkosat” është vlerësuar shpesh si një nga veprat më
haptazi politike të Aristofanit për shkak të tezës që ai ngre direkt, duke kërkuar
falje për rrëzimin e oligarkëve dhe pyetjen përfundimtare të Dionisit ia
adreson dy tragjedianëve rreth veprës së Alcibiadës, e cila mund të themi se është
e fokusuar në përshkrim, stilin e kuptueshëm letrar dhe teknikat poetike.[6]
Në fakt, këshilla
politike e Aristofanit merr formë në letërsinë kritike kur Dionisi më në funs
zgjedh poetin, i cili mund të shpëtojë qytetin e kështu krijohet menjëherë marrëshënia
mes mendimit politik dhe poezisë, letërsisë. Në veprat e mëparshme në të cilat
ka plot pjesë lufte, Aristofani nxjerr në pah shpëtimtarët potencialë të Athinës,
të cilët janë të aftë të përfundojnë luftës dhe të sjellin paqen në Athinë.[7]
Tek
“Bretkosat”, autori analizon dhe ekzekuton në detaje agoninë dhe hendekun ndërmjet
Eskilit dhe Euripidit dhe ka konotacion e nuanca të gjuhës kritike të
Aristofanit ngado, e cila është përdorur prej Aristofanit që parodia e tij të
mbartë dy stile tragjike për metodat letrare bashkëkohore dhe përqasjet rreth
tyre. Që në momentin që konkursi mes tragjedianëve fillon, stili i autorit është
më i përqendruar, por përfundon me shqetësimet lidhur me arsimin dhe çështjet
etike dhe për këtë sipas filozofisë, kemi një stil poetik e një didaktizëm
politik gjithashtu.[8]
Esencialisht
sipas disa autorëve është vlerësuar se kjo vepër nënvizon gjithmonë e më tepër
rëndësinë se “metodat e vjetra janë më të mira dhe efektive sesa ato të rejat”.[9]
Sipas tyre thuhet se ka një lloj thirrjeje ndaj qytetarisë athinase se duhet
t’i rikthehet integriteti qenies njerëzore, gjë që në fasadë duket se është
karakteristikë vetëm e familjeve fisnike dhe të pasura. Devijohet pak nga qëndrimet
politike që ka mbajtur autori në veprat e tij të mëparshme, si për shembull tek
“Akarnianët”, “Paqja” dhe “Lisistrata”, të cilat janë vlerësuar si vepra “paqësore”.[10]
Ndonjëherë duket se nuk kërkohet paqja për të arritur fitoren, por i sugjerohet
Athinës që të gjej një mënyrë sa më pak kokëforte për të përfunduar luftën.
Sigurisht që
në vepër do të hasim tej mase mesazhe solide dhe serioze, të cilat përfaqësojnë
interesa domethënëse nga kritikët e përgjithshëm për mendimin politik dhe ideal
në termat e të qënit në paqe.[11]
Tregohet qartazi nga Aristofani në vepër se iu duhet këshilluar qytetarëve që
t’iu rikthejnë të drejtat atyre qytetarëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë
në revolucionin oligarkik të vitit 411 para Krishtit e kështu nisin edhe kërkesat
e autorit dhe shpalosjet e hapura politike të ideve të tij.
Duhet thënë
se për sa i përket elementeve të veçanta të veprës është edhe ekzistenca e dy
lloje koreve që nuk kundërshtojnë njëra – tjetrën, por mbështeten në argumenta.[12]
Është përdorur shpesh paradoksi për të ngritur nivelin e ironisë dhe satirës e
për të dhënë një pamje të vërtetë të Athinës mitike, poetike e dramatike në atë
periudhë. Mbahet qëndrimi prej studiuesve të letërsisë se Euripidi është poeti
i arsyes dhe Eskili është poeti i besimit.
Në këtë vepër
kemi një ekspozim të drejtpërdrejtë të ndryshimeve letrare të lidhura me
kontekstin historik. Funksioni parësor i veprës, sidoqoftë nuk është kritika
letrare, por veprimtaria politike. Qëllimi i Aristofanit nuk është që Athina të
mos shpëtohet nga dramaturgu i dytë më i mirë, Euripidi, por është shpërbërja
politike dhe ndryshimet e saj.[13]
Mesazhi
politik portretizohet në një lloj mënyre që vepra e mbifuqizon audiencën nga përdorimi
i humorit, por ndër athinasit që kanë parë pjesën, mesazhi politik është i
kuptueshëm, sidomos për qytetarët e klasave të larta. Gjithsesi vepra ka si
shqetësim kryesor të vetin problemin social, organizimin më të mirë shoqëror nën
ekzistencen e një demokracie jo të drejtpërdrejtë dhe që ka nevojë për reformim
edhe përballë rrezikut spartan.[14]
Dëshira e vërtetë
e dramaturgut grek ishte largimi nga mendimi i të bërit luftë dhe përpjekja për
t’u bashkuar të gjitha qytet-shtetet së bashku, ide kjo shumë progresiste për
kohën. Gjithsesi, pjesë të konkursit mes dy poetëve ai bën kriteret e moralit
dhe estetikës, duke i paralelizuar këto me problemet që haste qeverisja
athinase në atë periudhë. Duhet thënë se edhe Platoni, veçanërisht në veprën e
tij “Republika” zhvillon shumë prej mendimeve të Aristofanit dhe madje janë
dukshëm shpesh pika referimi për të.
Është e qartë
se “Bretkosat” është një vepër që trupëzon pasuri letrare në vete dhe
gjithashtu mbledh satirën sociale me elementë komikë me qëllimin që të
kontribuojë në mirëqenien e shoqërisë. Aristofani kërkon rirregullimin e shoqërisë
duke satirizuar normat ekzistuese që e rregullojnë atë dhe duke parodizuar njëmendësitë
letrare. Si përfundim, ai shndërrohet në fillesën e kritikës letrare, qoftë kjo
e lidhur edhe me elementë të së drejtës e të filozofisë, siç është politika.
Punoi Jeta Deda
[1] Parathënie nga Prof. Dr. Muzafer
Xhaxhiu, “Bretkosat” – Aristofani, Logoreci, 2005
[2] "Comic Satire and Freedom of Speech in
Classical Athens” – Stephen Halliwell
[3] "Aristophanes' Apprenticeship" –
Stephen Halliwell
[4] "The Decree of Syrakosios”
& "How to Avoid being a Komodoumenos" – Alan Sommerstein
[5] “Citizens on Stage : Comedy and
Political Culture in the Athenian Democracy”
– James McGlew
[6] "Aristophanes' Frogs and the Contest of
Homer and Hesiod” – Ralph Rosen
[7] "Aristophanes' Apprenticeship Again” –
Niall Slater
[8] "The Use of Laughter in Greek Culture” –
Stephen Halliwell
[9] “Aristophanes Frogs” – Kenneth
Dover
[10] "Politics in
the Frogs of Aristophanes" – J.T. Sheppard
[11] "The
Character and Cults of Dionysus and the Unity of the Frogs" – Charles Paul
Segal
[12] “Aristophanes and The Political Parties at
Athens” – Maurice Croiset
[13] “A Short History of Greek
Literature” – Jacqueline De Romilly
[14] “Aristophanes: An Author for the
Stage” – Carlo Ferdinando Russo
No comments:
Post a Comment