Tuesday 28 May 2013



Studim leksikologjik i poezisë “Dimën” nga autori Martin Camaj,
pjesë e përmbledhjes poetike “Njeriu me vete e me tjerë”,
Mynih (München), 1978


Dimën (Martin Camaj)

Flokët e borës ndër grykcat e lisave
e krahnjerri i përjargun ndër degë.
Syni kërkon flakën e fshehtë,
vjedulla strofullin
në gjijtë e rrajëve dhe kujton
ngrohësinë e frymës
nën lëkurën e deles së bardhë.

Iriqi me therra të nguluna n’mish
digjet pa flakë
mbrenda katër ballnave të dheut.



Nr.


Skeda

Shënime për skedën

1.

Martin Camaj
“Njeriu me vete e tjerë”
“Dimën”
Mynih, 1978


Autori
Vepra
Titulli i poezisë
Vendi dhe viti i botimit



2.

Flokët e borës ndër grykcat e lisave

Kryefjalë (emër + mbiemër) + rrethanor vendi
-          Sintagmë e zakonshme, por në pjesën e dytë të vargut vëmë re përdorimin e fjalës “grykcat” që korrespondon me figurën letrare të eufemizmit dhe kemi të bëjmë me një neologjizëm në gegërishte.



3.

e krahnjerri i përjargun ndër degë.

Lidhëz shtuese + emër + mbiemër + rrethanor vendi
-          Sintagmë e jashtëzakonshme, sepse ngricave ndër degë, autori u jep mbiemrin dhe cilësinë e të përjargurave që janë në shkrirje e sipër dhe kemi të bëjmë edhe me elementin e shpirtëzimit të dukurive natyrore në letërsi. Pra, kjo sintagmë ka në fillim të saj një figurë letrare që e bën atë të jetë sintagmë metaforike.




4.

Syni kërkon flakën e fshehtë,

kryefjalë (emër) + kallëzues (folje) + kundrinor i drejtë (emër + mbiemër)
-          Sintagmë e jashtëzakonshme metaforike, sepse një shqise si syri, Camaj i jep një lloj anasjelle të njësive frazeologjike, siç është shprehja “kërkoj me sy” dhe ai e shndërron në “syni kërkon”. Me flakën e fshehtë autori shfaq një lloj misteri në varg që na lë në pritje të shohim nëse do të kuptojmë deri në fund se çfarë është, por nëse e lidhim me titullin e poezisë, atëherë do të kuptojmë se flaka e fshehtë mund të jetë një pranverë ose verë në pritje. Duke marrë parasysh që autori jetonte në nëj vend të ftohtë si Mynihu në Gjermani, ai kërkon jo vetëm verën që i duket sikur nuk vjen kurrë, por verën e atdheut të vet, në të cilin nuk kthehet dot prej lëvizjeve politike të kohës.


5.

vjedulla strofullin

Kryefjalë (emër në rasën emërore) + kundrinor i drejtë (emër në rasën kallëzore)
-          Sintagmë e zakonshme, por me mungesën e një foljeje, pra autori na vë përpara një vargu pa kallëzues në dobi të stilistikës dhe të vargut të bardhë me të cilin preferon të shkruajë poezitë.







6.

në gjijtë e rrajeve dhe kujton

Rrethanor vendi + lidhëz shtuese + kallëzues
-          Sintagmë e jashtëzakonshme, sepse trupëzohen rrëpirat e maleve duke i paralelizuar ato me gjijtë si organ i trupit të njeriut që është më shumë karakteristikë e ngrohtësisë së nënës, por njëkohësisht edhe me gjijtë e deteve që janë simbol i verës dhe sërish i ngrohtësisë. Ai nodale për të na thënë se kjo poezi është një lloj meditimi dhe reflektimi nëpërmjet frazës “dhe kujton”.


7.

ngrohtësinë e frymës

Kundrinor i drejtë
-          Sintagmë e zakonshme, por që lidhet me atë që kërkon njëkohësisht vjedulla nga strofka e vet, por dhe autori në kërkim të nënës së vdekur e mëmëdheut. Themi mëmëdheut tashmë dhe jo atdheut, sepse bëjmë një analogji me vargun e mësipërm, ku ishin “gjijtë e rrajëve” ato që çonin në kujtime e meditime Camajn.


8.

nën lëkurën e deles së bardhë.

Rrethanor vendi
-          Sintagmë e zakonshme, por këtu delja e bardhë është simbol i asaj që i përket bariut, asaj që i përket një prijësi drejt ngrohtësisë sërish, por që tashmë është një e tillë larg dimrit dhe gjumit letargjik, së cili i është larguar vjedulla.




9.

Iriqi me therra të nguluna n’mish

Kryefjalë (emër) + përcaktor
-          Sintagmë jo e zakonshme. Në dukje vargu është një e fjali e thjeshtë dëftore, por në fakt kemi të bëjmë me figurën letrare të groteskut, sepse përcaktimi i nguljes në mish të ferrave është diçka më shumë njerëzore që jo kujtdo i bie ndërmend ta përshkruajë ashtu e këtu jemi përballë një gjuhe të vërtetë artistike e letrare.


10.

digjet pa flakë

Kallëzues (folje) + rrethanor mënyrë (pjesëz mohuese + emër)
-          Sintagmë e jashtëzakonshme, për vetë faktin se është e pamundur të digjesh pa flakë, e këtu kemi figurën letrare të paradoksit jo vetëm të asaj që është shkruar, por edhe të asaj që nënkuptohet prej vargut të mësipërm, se është e pamundur të ndodhë pikërisht në dimër djegia e një iriqi. Këtu del në pah se me iriqin autori mund të ketë personifikuar veten, sepse i referohemi edhe poezive të tjera të vëllimit ku shfaqet natyra e mbyllur e tij.










11.

mbrenda katër ballnave të dheut.

Rrethanor vendi
-          Sintagmë e jashtëzakonshme sepse “ballnat” në shqipen standarde janë muret dhe është e pamundur të themi se dheu ka mure, por në një farë mënyre përveç se si varr prej dheut, autori e sheh këtë dimër që përjeton edhe si një lloj burgu të madh nga i cili nuk futet dot atje ku ka dëshirën, tek mëmëdheu që ky i fundit kaq shumë e do, por num merr të njëjtën ndjenjë prej lëvizjeve politike komuniste dhe atyre jugosllave, po komuniste në Kosovë.




Wednesday 15 May 2013




Studim leksikologjik i poezisë “Dështimi” nga autori Martin Camaj,
pjesë e përmbledhjes poetike “Njeriu me vete e me tjerë”,
Mynih (München), 1978

Dështimi (Martin Camaj)

Nuk e çova zanin në kor
Aty ku duhej: prej frike, turpi?
“Atëherë, del jashtë! – Më tha mjeshtri.
- Del jashtë!”

Prej te mbramit rresht në fund
u shkëputa, spec prej vargut në tra,
e njeha shkallët nji nga nji
deri në fund,
nën dhé
me peshën e njiqind syve në krahë.



Nr.


Skeda

Shënimë për skedën

1.

Martin Camaj
“Njeriu me vete e me tjerë”
“Dështimi”
Mynih, 1978


Autori
Vepra
Titulli i poezisë
Vendi dhe viti i botimit

2.

Nuk e çova zanin në kor
Aty ku duhej:

Nuk e çova zanin – njësi frazeologjike dygjymtyrëshe
Në kor – rrethanor mënyre, sepse ka treguar për mënyrën e ngritjes së zërit
Aty ku duhej – rrethanor vendi i shprehur me ndajfolje vendi + ku duhej (njësi frazeologjike njëgjymtyrëshe)
-          Sintagmë jo e zakonshme, sepse konteksti i vargjeve na nxjerr në pah edhe kuptimin e titullit të poezisë, duke shprehur se të mos thuash atë që ndjen dhe duhet thënë në momente të caktuara të jetës, bën që shpesh qenia njerëzore të priret drejt dështimit.


3.

prej frike, turpi?

Ndajfolje vendi + emër + emër
-          Sintagmë jo e zakonshme, por që lidhur me analizën e mësipërme të tekstit dhe krahasimisht me atë që lexojmë dhe dallojmë, kemi të bëjmë me enumeracion, sepse numërohen frika dhe turpi si dy ndër arsyet pse autori ose subjekti aktiv i poezisë nuk kanë ngritur zërin aty ku duhej.


4.

“Atëherë, del jashtë! – Më tha mjeshtri.

Ndajfolje kohe + njësi frazeologjike (folje + ndajfolje vendi); trajtë e shkurtër e kundrinorit të zhdrejtë + folje + emër
-          Sintagmë e zakonshme, sepse autori dëfton nëpërmjet ligjëratës së drejtë se si i drejtohet mësuesi ose mjeshtri nëpërmjet të folmes në gegnisht dhe mënyrës urdhërore të përdorimit të foljes.




5.

- Del jashtë!”

Folje + ndajfolje vendi
-          Sintagmë e zakonshme, ku kemi të bëjmë me figurën e përsëritjes. Në këtë rast përballemi me përsëritjen e ligjëratës së drejtë të mjeshtrit dhe përsëritja e dytë është një lloj përforcimi i të parës.


6.

Prej te mbramit rresht në fund
u shkëputa,

kundrinor i zhdrejtë me parafjalë + rrethanor vendi + trajtë e shkurtër që në këtë rast bën rolin e kryefjalës (unë u) + folje
-          Sintagmë jo e zakonshme, sepse në vend të përdorimit të ndonjë fjale si: largohem, iki, ngrihem, në bazë të logjikës edhe të vargjeve të mësipërme, autori përdor foljen “shkëputa”.


7.

spec prej vargut në tra,

njësi frazeologjike + rrethanor vendi (ndajfolje vendi + emër)
-          Sintagmë jo e zakonshme, duke qenë se njëzia frazelogjike e përdorur nga Camaj shpirtëzon autorin në një perime dhe jep natyrën e turpshme të tij që tashmë ështe skuqur si specat që varen në varg, nëpër trarët e kullave gege. Mungon ndajfolja e mënyrës “si” që të mund t’i jepnim emrin similitudë, kësaj sintagme, kështu që kemi të bëjmë tashmë me një sintagmë metaforike.


8.

e njeha shkallët nji nga nji
deri në fund,

lidhëz shtuese + njësi frazeologjike e dialektit geg + njësi frazeologjike numërimi + rrethanor vendi
-          Sintagmë jo e zakonshme përderisa kemi të bëjmë me dy njësi frazeologjike. Në njësinë e parë hasim përdorimin e infinitivit geg “njeha” në vend të fjalës “ngjit” në shqipen standarde. Më pas kemi njësinë e dytë që përkon me fjalën “radhazi”.









9.

nën dhé

Rrethanor vendi (ndajfolje vendi + emër)
-          Në dukje jemi përballë një sintagme të zakonshme, por duke qenë se lidhja logjike e rreshtit të mëparshëm na bënte të mendonim se autori duhet ta çonte personazhin e vet lart, këtu përballemi me figurën e paradoksit në letërsi, sepse në fakt pesha e frikës, turpit, dështimit dhe zhgënjimit e ka bërë atë të jetë tashmë “nën dhé”.


10.

me peshën e njiqind syve në krahë.

Kundrinor i zhdrejtë me parafjalë + rrethanor vendi
-          Sintagmë jo e zakonshme për vetë idenë se si peshën e turpit dhe dështimit, natyra timide e Camajt e jep me atë të syve të pjesëmarrësve në auditor, të cilët i duken sikur i mban mbi krahë.



Thursday 9 May 2013

“Elementi politik tek “Bretkosat” e Aristofanit”

Për të studiuar diçka që është qendër e veprës së Aristofanit, ashtu siç është elementi i politikës, duhet hedhur një vështrim mbi shumicën e veprave të shkruara prej tij, duke marrë parasysh faktin se problematika i përket së njëjtës periudhë kohore dhe përgjithësisht të njëjtit sistem politik e qeveritar që udhëheq. Ai shfaq në thelbin e pikëpamjeve të veta, të tilla që edhe pse përputhen me partinë demokratike të moderuar dhe jo me atë radikale, në ditët e sotme kemi të bëjmë me një njeri të djathtë të qendrës, gjë që i atribuohet sërish vendit ku lindi demokracia si ideologji politike.
Që në atë periudhë ai është njëfarësoj nismëtar i vënies përballë të platformave politike me njëra-tjetrën, gjë që të tjerët e kishin anashkaluar si jo shumë fitimprurëse, por duhet thënë se një shtysë e veçantë dhe e konsiderueshme është fakti që ai kishte një temperament dhe karakter shumë shpotitës, tallës, ironizues e sarkastik.
Përveç platformave politike boshe që bien ndesh me politikat sociale për shtresën e ulët dhe të mesme, Aristofani ngrihet kundër politikanëve demagogë dhe hedh bazat e utopisë sociale ashtu si bashkëkohësit e tij, duke i dhënë në një farë mënyrë zgjidhje kontradiktorialitetit të gjatë mes pasurisë dhe varfërisë.[1] Duket që sipas të shkruarit ai përkrah gjatë gjithë kohës shtresën e mesme e duhet thënë se kjo shtresë si ingranazh kryesor i ecurisë në komunitetin e madh në rang rajonal mund të çojë përpara shoqërinë njerëzore për sa i përket të ardhurave të fituara me punë të ndershme dhe për të sjellë kështu një ndër modelet e para të shtetit të mirëqenies sociale.
Inskenimi i pjesëve kur Euripidi dhe Eskili vihen përballë njëri – tjetrit duke gjetur argumenta përkundër që të jenë ata fituesit e debatit respektivisht secili sipas interesave të tij është bërë në formën e një përplasjeje, diskutimi “platformash” dhe Dionisi, sot për herë të parë do të shihej si populli që voton më shumë sesa si Hyjnia që do të vendoste mbi më të mirin prej autorëve në fushën e letërsisë.
Aristofani gjithmonë është përpjekur t’i mësojë audiencës diçka përtej dramatikes në veprat e tij. Tek “Bretkosat”, Dionisi kërkon një poet, i cili është zotërues i zhanritdhe e shikon dramën si një formë didaktike të letërsisë, e cila ka potencialin e duhur që t’i mësojë audiencës atë çfarë është e drejtë.[2] Disa studiues kanë vënë re në vepra këmbënguljen që ka Aristofani lidhur me arsimin si tregues i teorive latente politike që fshihen nëpër vargjet e tij.[3] Sidoqoftë, Aristofani satirizon edhe politikanët demokratë, por edhe ata oligarkikë, po ashtu siç bën me poetët, artistët, filozofët dhe personalitete të tjera të njohura të bashkëkohësisë së tij dhe kështu hasen vështirësi që të provohet fakti se ai po kërkon një teori të vetme dhe të unifikuar politike.[4]
Eskili në këtë vepër deklaron se fëmijët kanë një mësues që i arsimon, ndërkohë që të rinjtë kanë poetët dhe Euripidi duket se bie dakord me këtë. Fokusi i agonisë mes dy tragjedianëve duket se merr rëndësi nga interesi fillestar në teknikat poetike dhe metodat për t’u bërë në thelb një konkurs mes mjeshtrash, që në momentin që Eskili dhe Euripidi respektivisht deklarojnë se ekzekutimet e veta dramatike janë më të dobishme për qytetin.[5]
Duhet thënë se parodia është një mënyrë e rëndësishme e shfaqjes së teknikave të gjuhës në letërsi dhe kështu është një lloj metode pedagogjike për të gjitha veprat athinase. Ndërkohë që “Bretkosat” është vlerësuar shpesh si një nga veprat më haptazi politike të Aristofanit për shkak të tezës që ai ngre direkt, duke kërkuar falje për rrëzimin e oligarkëve dhe pyetjen përfundimtare të Dionisit ia adreson dy tragjedianëve rreth veprës së Alcibiadës, e cila mund të themi se është e fokusuar në përshkrim, stilin e kuptueshëm letrar dhe teknikat poetike.[6]
Në fakt, këshilla politike e Aristofanit merr formë në letërsinë kritike kur Dionisi më në funs zgjedh poetin, i cili mund të shpëtojë qytetin e kështu krijohet menjëherë marrëshënia mes mendimit politik dhe poezisë, letërsisë. Në veprat e mëparshme në të cilat ka plot pjesë lufte, Aristofani nxjerr në pah shpëtimtarët potencialë të Athinës, të cilët janë të aftë të përfundojnë luftës dhe të sjellin paqen në Athinë.[7]
Tek “Bretkosat”, autori analizon dhe ekzekuton në detaje agoninë dhe hendekun ndërmjet Eskilit dhe Euripidit dhe ka konotacion e nuanca të gjuhës kritike të Aristofanit ngado, e cila është përdorur prej Aristofanit që parodia e tij të mbartë dy stile tragjike për metodat letrare bashkëkohore dhe përqasjet rreth tyre. Që në momentin që konkursi mes tragjedianëve fillon, stili i autorit është më i përqendruar, por përfundon me shqetësimet lidhur me arsimin dhe çështjet etike dhe për këtë sipas filozofisë, kemi një stil poetik e një didaktizëm politik gjithashtu.[8]
Esencialisht sipas disa autorëve është vlerësuar se kjo vepër nënvizon gjithmonë e më tepër rëndësinë se “metodat e vjetra janë më të mira dhe efektive sesa ato të rejat”.[9] Sipas tyre thuhet se ka një lloj thirrjeje ndaj qytetarisë athinase se duhet t’i rikthehet integriteti qenies njerëzore, gjë që në fasadë duket se është karakteristikë vetëm e familjeve fisnike dhe të pasura. Devijohet pak nga qëndrimet politike që ka mbajtur autori në veprat e tij të mëparshme, si për shembull tek “Akarnianët”, “Paqja” dhe “Lisistrata”, të cilat janë vlerësuar si vepra “paqësore”.[10] Ndonjëherë duket se nuk kërkohet paqja për të arritur fitoren, por i sugjerohet Athinës që të gjej një mënyrë sa më pak kokëforte për të përfunduar luftën.
Sigurisht që në vepër do të hasim tej mase mesazhe solide dhe serioze, të cilat përfaqësojnë interesa domethënëse nga kritikët e përgjithshëm për mendimin politik dhe ideal në termat e të qënit në paqe.[11] Tregohet qartazi nga Aristofani në vepër se iu duhet këshilluar qytetarëve që t’iu rikthejnë të drejtat atyre qytetarëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në revolucionin oligarkik të vitit 411 para Krishtit e kështu nisin edhe kërkesat e autorit dhe shpalosjet e hapura politike të ideve të tij.
Duhet thënë se për sa i përket elementeve të veçanta të veprës është edhe ekzistenca e dy lloje koreve që nuk kundërshtojnë njëra – tjetrën, por mbështeten në argumenta.[12] Është përdorur shpesh paradoksi për të ngritur nivelin e ironisë dhe satirës e për të dhënë një pamje të vërtetë të Athinës mitike, poetike e dramatike në atë periudhë. Mbahet qëndrimi prej studiuesve të letërsisë se Euripidi është poeti i arsyes dhe Eskili është poeti i besimit.
Në këtë vepër kemi një ekspozim të drejtpërdrejtë të ndryshimeve letrare të lidhura me kontekstin historik. Funksioni parësor i veprës, sidoqoftë nuk është kritika letrare, por veprimtaria politike. Qëllimi i Aristofanit nuk është që Athina të mos shpëtohet nga dramaturgu i dytë më i mirë, Euripidi, por është shpërbërja politike dhe ndryshimet e saj.[13]
Mesazhi politik portretizohet në një lloj mënyre që vepra e mbifuqizon audiencën nga përdorimi i humorit, por ndër athinasit që kanë parë pjesën, mesazhi politik është i kuptueshëm, sidomos për qytetarët e klasave të larta. Gjithsesi vepra ka si shqetësim kryesor të vetin problemin social, organizimin më të mirë shoqëror nën ekzistencen e një demokracie jo të drejtpërdrejtë dhe që ka nevojë për reformim edhe përballë rrezikut spartan.[14]
Dëshira e vërtetë e dramaturgut grek ishte largimi nga mendimi i të bërit luftë dhe përpjekja për t’u bashkuar të gjitha qytet-shtetet së bashku, ide kjo shumë progresiste për kohën. Gjithsesi, pjesë të konkursit mes dy poetëve ai bën kriteret e moralit dhe estetikës, duke i paralelizuar këto me problemet që haste qeverisja athinase në atë periudhë. Duhet thënë se edhe Platoni, veçanërisht në veprën e tij “Republika” zhvillon shumë prej mendimeve të Aristofanit dhe madje janë dukshëm shpesh pika referimi për të.
Është e qartë se “Bretkosat” është një vepër që trupëzon pasuri letrare në vete dhe gjithashtu mbledh satirën sociale me elementë komikë me qëllimin që të kontribuojë në mirëqenien e shoqërisë. Aristofani kërkon rirregullimin e shoqërisë duke satirizuar normat ekzistuese që e rregullojnë atë dhe duke parodizuar njëmendësitë letrare. Si përfundim, ai shndërrohet në fillesën e kritikës letrare, qoftë kjo e lidhur edhe me elementë të së drejtës e të filozofisë, siç është politika.
Punoi Jeta Deda




[1] Parathënie nga Prof. Dr. Muzafer Xhaxhiu, “Bretkosat” – Aristofani, Logoreci, 2005
[2] "Comic Satire and Freedom of Speech in Classical Athens” – Stephen Halliwell
[3] "Aristophanes' Apprenticeship" – Stephen Halliwell
[4] "The Decree of Syrakosios” & "How to Avoid being a Komodoumenos" – Alan Sommerstein
[5] “Citizens on Stage : Comedy and Political Culture in the Athenian  Democracy” – James McGlew
[6] "Aristophanes' Frogs and the Contest of Homer and Hesiod” – Ralph Rosen
[7] "Aristophanes' Apprenticeship Again” – Niall Slater
[8] "The Use of Laughter in Greek Culture” – Stephen Halliwell
[9] “Aristophanes Frogs” – Kenneth Dover
[10] "Politics in the Frogs of Aristophanes" – J.T. Sheppard
[11] "The Character and Cults of Dionysus and the Unity of the Frogs" – Charles Paul Segal
[12] “Aristophanes and The Political Parties at Athens” – Maurice Croiset
[13] “A Short History of Greek Literature” – Jacqueline De Romilly
[14] “Aristophanes: An Author for the Stage” – Carlo Ferdinando Russo