Thursday 9 May 2013

“Elementi politik tek “Bretkosat” e Aristofanit”

Për të studiuar diçka që është qendër e veprës së Aristofanit, ashtu siç është elementi i politikës, duhet hedhur një vështrim mbi shumicën e veprave të shkruara prej tij, duke marrë parasysh faktin se problematika i përket së njëjtës periudhë kohore dhe përgjithësisht të njëjtit sistem politik e qeveritar që udhëheq. Ai shfaq në thelbin e pikëpamjeve të veta, të tilla që edhe pse përputhen me partinë demokratike të moderuar dhe jo me atë radikale, në ditët e sotme kemi të bëjmë me një njeri të djathtë të qendrës, gjë që i atribuohet sërish vendit ku lindi demokracia si ideologji politike.
Që në atë periudhë ai është njëfarësoj nismëtar i vënies përballë të platformave politike me njëra-tjetrën, gjë që të tjerët e kishin anashkaluar si jo shumë fitimprurëse, por duhet thënë se një shtysë e veçantë dhe e konsiderueshme është fakti që ai kishte një temperament dhe karakter shumë shpotitës, tallës, ironizues e sarkastik.
Përveç platformave politike boshe që bien ndesh me politikat sociale për shtresën e ulët dhe të mesme, Aristofani ngrihet kundër politikanëve demagogë dhe hedh bazat e utopisë sociale ashtu si bashkëkohësit e tij, duke i dhënë në një farë mënyrë zgjidhje kontradiktorialitetit të gjatë mes pasurisë dhe varfërisë.[1] Duket që sipas të shkruarit ai përkrah gjatë gjithë kohës shtresën e mesme e duhet thënë se kjo shtresë si ingranazh kryesor i ecurisë në komunitetin e madh në rang rajonal mund të çojë përpara shoqërinë njerëzore për sa i përket të ardhurave të fituara me punë të ndershme dhe për të sjellë kështu një ndër modelet e para të shtetit të mirëqenies sociale.
Inskenimi i pjesëve kur Euripidi dhe Eskili vihen përballë njëri – tjetrit duke gjetur argumenta përkundër që të jenë ata fituesit e debatit respektivisht secili sipas interesave të tij është bërë në formën e një përplasjeje, diskutimi “platformash” dhe Dionisi, sot për herë të parë do të shihej si populli që voton më shumë sesa si Hyjnia që do të vendoste mbi më të mirin prej autorëve në fushën e letërsisë.
Aristofani gjithmonë është përpjekur t’i mësojë audiencës diçka përtej dramatikes në veprat e tij. Tek “Bretkosat”, Dionisi kërkon një poet, i cili është zotërues i zhanritdhe e shikon dramën si një formë didaktike të letërsisë, e cila ka potencialin e duhur që t’i mësojë audiencës atë çfarë është e drejtë.[2] Disa studiues kanë vënë re në vepra këmbënguljen që ka Aristofani lidhur me arsimin si tregues i teorive latente politike që fshihen nëpër vargjet e tij.[3] Sidoqoftë, Aristofani satirizon edhe politikanët demokratë, por edhe ata oligarkikë, po ashtu siç bën me poetët, artistët, filozofët dhe personalitete të tjera të njohura të bashkëkohësisë së tij dhe kështu hasen vështirësi që të provohet fakti se ai po kërkon një teori të vetme dhe të unifikuar politike.[4]
Eskili në këtë vepër deklaron se fëmijët kanë një mësues që i arsimon, ndërkohë që të rinjtë kanë poetët dhe Euripidi duket se bie dakord me këtë. Fokusi i agonisë mes dy tragjedianëve duket se merr rëndësi nga interesi fillestar në teknikat poetike dhe metodat për t’u bërë në thelb një konkurs mes mjeshtrash, që në momentin që Eskili dhe Euripidi respektivisht deklarojnë se ekzekutimet e veta dramatike janë më të dobishme për qytetin.[5]
Duhet thënë se parodia është një mënyrë e rëndësishme e shfaqjes së teknikave të gjuhës në letërsi dhe kështu është një lloj metode pedagogjike për të gjitha veprat athinase. Ndërkohë që “Bretkosat” është vlerësuar shpesh si një nga veprat më haptazi politike të Aristofanit për shkak të tezës që ai ngre direkt, duke kërkuar falje për rrëzimin e oligarkëve dhe pyetjen përfundimtare të Dionisit ia adreson dy tragjedianëve rreth veprës së Alcibiadës, e cila mund të themi se është e fokusuar në përshkrim, stilin e kuptueshëm letrar dhe teknikat poetike.[6]
Në fakt, këshilla politike e Aristofanit merr formë në letërsinë kritike kur Dionisi më në funs zgjedh poetin, i cili mund të shpëtojë qytetin e kështu krijohet menjëherë marrëshënia mes mendimit politik dhe poezisë, letërsisë. Në veprat e mëparshme në të cilat ka plot pjesë lufte, Aristofani nxjerr në pah shpëtimtarët potencialë të Athinës, të cilët janë të aftë të përfundojnë luftës dhe të sjellin paqen në Athinë.[7]
Tek “Bretkosat”, autori analizon dhe ekzekuton në detaje agoninë dhe hendekun ndërmjet Eskilit dhe Euripidit dhe ka konotacion e nuanca të gjuhës kritike të Aristofanit ngado, e cila është përdorur prej Aristofanit që parodia e tij të mbartë dy stile tragjike për metodat letrare bashkëkohore dhe përqasjet rreth tyre. Që në momentin që konkursi mes tragjedianëve fillon, stili i autorit është më i përqendruar, por përfundon me shqetësimet lidhur me arsimin dhe çështjet etike dhe për këtë sipas filozofisë, kemi një stil poetik e një didaktizëm politik gjithashtu.[8]
Esencialisht sipas disa autorëve është vlerësuar se kjo vepër nënvizon gjithmonë e më tepër rëndësinë se “metodat e vjetra janë më të mira dhe efektive sesa ato të rejat”.[9] Sipas tyre thuhet se ka një lloj thirrjeje ndaj qytetarisë athinase se duhet t’i rikthehet integriteti qenies njerëzore, gjë që në fasadë duket se është karakteristikë vetëm e familjeve fisnike dhe të pasura. Devijohet pak nga qëndrimet politike që ka mbajtur autori në veprat e tij të mëparshme, si për shembull tek “Akarnianët”, “Paqja” dhe “Lisistrata”, të cilat janë vlerësuar si vepra “paqësore”.[10] Ndonjëherë duket se nuk kërkohet paqja për të arritur fitoren, por i sugjerohet Athinës që të gjej një mënyrë sa më pak kokëforte për të përfunduar luftën.
Sigurisht që në vepër do të hasim tej mase mesazhe solide dhe serioze, të cilat përfaqësojnë interesa domethënëse nga kritikët e përgjithshëm për mendimin politik dhe ideal në termat e të qënit në paqe.[11] Tregohet qartazi nga Aristofani në vepër se iu duhet këshilluar qytetarëve që t’iu rikthejnë të drejtat atyre qytetarëve të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në revolucionin oligarkik të vitit 411 para Krishtit e kështu nisin edhe kërkesat e autorit dhe shpalosjet e hapura politike të ideve të tij.
Duhet thënë se për sa i përket elementeve të veçanta të veprës është edhe ekzistenca e dy lloje koreve që nuk kundërshtojnë njëra – tjetrën, por mbështeten në argumenta.[12] Është përdorur shpesh paradoksi për të ngritur nivelin e ironisë dhe satirës e për të dhënë një pamje të vërtetë të Athinës mitike, poetike e dramatike në atë periudhë. Mbahet qëndrimi prej studiuesve të letërsisë se Euripidi është poeti i arsyes dhe Eskili është poeti i besimit.
Në këtë vepër kemi një ekspozim të drejtpërdrejtë të ndryshimeve letrare të lidhura me kontekstin historik. Funksioni parësor i veprës, sidoqoftë nuk është kritika letrare, por veprimtaria politike. Qëllimi i Aristofanit nuk është që Athina të mos shpëtohet nga dramaturgu i dytë më i mirë, Euripidi, por është shpërbërja politike dhe ndryshimet e saj.[13]
Mesazhi politik portretizohet në një lloj mënyre që vepra e mbifuqizon audiencën nga përdorimi i humorit, por ndër athinasit që kanë parë pjesën, mesazhi politik është i kuptueshëm, sidomos për qytetarët e klasave të larta. Gjithsesi vepra ka si shqetësim kryesor të vetin problemin social, organizimin më të mirë shoqëror nën ekzistencen e një demokracie jo të drejtpërdrejtë dhe që ka nevojë për reformim edhe përballë rrezikut spartan.[14]
Dëshira e vërtetë e dramaturgut grek ishte largimi nga mendimi i të bërit luftë dhe përpjekja për t’u bashkuar të gjitha qytet-shtetet së bashku, ide kjo shumë progresiste për kohën. Gjithsesi, pjesë të konkursit mes dy poetëve ai bën kriteret e moralit dhe estetikës, duke i paralelizuar këto me problemet që haste qeverisja athinase në atë periudhë. Duhet thënë se edhe Platoni, veçanërisht në veprën e tij “Republika” zhvillon shumë prej mendimeve të Aristofanit dhe madje janë dukshëm shpesh pika referimi për të.
Është e qartë se “Bretkosat” është një vepër që trupëzon pasuri letrare në vete dhe gjithashtu mbledh satirën sociale me elementë komikë me qëllimin që të kontribuojë në mirëqenien e shoqërisë. Aristofani kërkon rirregullimin e shoqërisë duke satirizuar normat ekzistuese që e rregullojnë atë dhe duke parodizuar njëmendësitë letrare. Si përfundim, ai shndërrohet në fillesën e kritikës letrare, qoftë kjo e lidhur edhe me elementë të së drejtës e të filozofisë, siç është politika.
Punoi Jeta Deda




[1] Parathënie nga Prof. Dr. Muzafer Xhaxhiu, “Bretkosat” – Aristofani, Logoreci, 2005
[2] "Comic Satire and Freedom of Speech in Classical Athens” – Stephen Halliwell
[3] "Aristophanes' Apprenticeship" – Stephen Halliwell
[4] "The Decree of Syrakosios” & "How to Avoid being a Komodoumenos" – Alan Sommerstein
[5] “Citizens on Stage : Comedy and Political Culture in the Athenian  Democracy” – James McGlew
[6] "Aristophanes' Frogs and the Contest of Homer and Hesiod” – Ralph Rosen
[7] "Aristophanes' Apprenticeship Again” – Niall Slater
[8] "The Use of Laughter in Greek Culture” – Stephen Halliwell
[9] “Aristophanes Frogs” – Kenneth Dover
[10] "Politics in the Frogs of Aristophanes" – J.T. Sheppard
[11] "The Character and Cults of Dionysus and the Unity of the Frogs" – Charles Paul Segal
[12] “Aristophanes and The Political Parties at Athens” – Maurice Croiset
[13] “A Short History of Greek Literature” – Jacqueline De Romilly
[14] “Aristophanes: An Author for the Stage” – Carlo Ferdinando Russo

No comments:

Post a Comment